Gentiana lutea (Sanëza), efektet e saj mjekuese
Këshillat si shndërrohet bima në ilaç bimor. Pjesët e
përdorshme të bimës për kurim.Sanëza, ose e njohur ndryshe
me emrin Gentiana, është një bimë barishtore zakonisht me zhvillim
shumëvjeçar. Kjo bimë kuruese ka gjetur një përdorim të gjerë në
mjekësinë popullore në çrregullimet e tretjes. Pjesët e përdorshme të
bimës për qëllime mjekuese janë rizomat dhe rrënjët.
Sanëza në saje të aftësive që ka për të stimuluar prodhimin e lëngut
gastrik dhe të sekrecioneve intestinale (në zorrë) përdoret në
çrregullimet e tretjes. Gjithashtu, kjo bimë nxit jashtëqitjen në
konstipacione (kapsllëk). Ndërkohë sanëza është një bimë mjaft e mirë
për personat që kanë probleme me oreksin, pasi përdorimi i kësaj bime
përmirëson oreksin.
Gentiana është bimë e gjelbër shumëvjeçare, me gjatësi deri në 140
cm, me fletë të mëdha dhe lule të verdha, të tubuara në një tubë lulesh,
nën sqetull të fletës, në pjesën e sipërme të kërcellit. Sanëza ka
rrënjë shumë të gjata e të thella në tokë deri në 1 metër.
Kjo bimë rritet në livadhet malore, lëndina, kullosa dhe në malet e
rralla, me lartësi mbidetare deri 2.500 metër.
Droga (pjesa e përdorshme e bimës për mjekim) është e fortë nga
jashtë, me ngjyrë të verdhë deri në të kuqe të mbyllët. Në ujë droga
bymehet shumë. Erën e ka karakteristike, shijen së pari të ëmbël e
pastaj shumë të ithët.
Rrënja e Gentianës është njëra prej drogave të hidhëta më të
rëndësishme (amara pura). Në përdorimin mjekësor përdoret për punimin e
ekstrakteve (Extractum Gentianae sicum), tinkturave të ndryshme
(Tinctura Gentianae), verës medicinale (Vinum Gentianae ferratum).